LETER E BASHKESHORTES SE KOMANDANT TELIT
PER OPINIONIN PUBLIK
GJITHASHTU PER AUTORITET SHQIPTARE NE SHQIPERI, KOSOVE DHE MAQEDONI
Tiranë 27 qershor 2011
Ju drejtohem Ju i nderuar Popull im, ju drejtohem Ju, Burra të Luftës bashkluftëtarët e burrit tim. Ju drejtohem të gjithë Juve bashkëkombasit e mi kudo ku ndodheni në trojet etnike dhe gjitha skajet e Globit, të gjithë atyre që e ndjejnë veten shqiptarë dhe atdhetarë. Ju drejtohem Ju, nënave shqiptare që dini ç`është dhimbja, ç`është gjaku i derdhur i bijve për kombin e larine, që edhe ju ta thoni fjalën tuaj. Ju lutem veproni, sepse sot unë, bashkëshortja e dëshmorit të Atdheut Komandant Teli dhe dy fëmijët tanë kemi nevojë më shumë se kurrë për ju.
Sot unë dhe dy fëmijët e mi të vegjël të mbetur jetimë, në gjendje të papunë e pa përkrahje, jemi tragjikisht në rrugë të madhe, diku në Tiranë pranë Bulevardit “Bajram Curri”. Pa çati mbi kokë dhe me lot në sy po na merret nëpër këmbë dinjiteti prej disa njerzve që dinë si ta vërtisin ligjin e të na na përdorin si mish për top.
Në vitin 2003 Komandantët dhe Shtabi i UÇK-së duke parë gjendjen tonë vendosën që të na ndihmonin në kujtim të bashkluftëtarit të tyre të rënë, i cili tregoi aq trimëri gjatë luftës, që u bë aq i dashur për shqiptarët e Maqedonisë sa edhe sot e kujtojnë me dashuri dhe i thurin këngë, vendosën pra, që shtëpinë bazë të luftës së UÇK-së në Tiranë të na e dhuronin.
E gëzuam këtë shtëpi 8-vjet, kur papritur një tufë burrash nga Kosova ia behën dhe pa pritur të sqarohen se cilët ishin, ai që i printe na tha: – “Zonjë kjo banesë është e imja!”
Ata nuk dinin as në emër të kujt është kjo banesë, as sa dhoma ishin e të tjera dhe si ikën këta, pas tre ditësh, në mes të acarit na vjen Florin Krasniqi (sot deputet i Vetvendosjes në Parlamentin e Kosovës) dhe na deklaron që banesa ishte në emër të tij. Unë iu përgjigja se banesa nuk ishte në emrin e tij dhe ai më paraqiti dy fatura nga shoqata bamirëse që i kishin dhënë të hollat. Unë iu shpjegova se në këtë shtëpi më kanë futur ish-komandantë të UÇK-së, mirëpo me djallëzitë e tyre këta shpirtzinj nuk kishin pushuar nga intrigat e tyre, kishin bërë gjyq në mungesën tonë dhe pa na njoftuar në kundërshtim me ligjet shqiptare të drejtësisë.
Papritur një ditë, me aktin e ekzekutimit për të dalë nga shtëpia, na vijnë 30 veta, të dërguarit e deputetit Florin Krasniqi, duke na kërcënuar që të dalim nga shtëpia edhe pse jemi në çështje gjyqësore të hapur.
Sot që po ju shkruaj këtë letër, mua me dy fëmijët e mi, policia e përmbarimit më kanë kërkuar të dal në rrugë të madhe sepse ne jemi pa mbrojtje.
Ne u dashkemi vetëm atëhere kur duhet derdhur gjak për këtë komb e për këtë popull. Përtej kësaj ne jemi të humbur, pa përkrahje, jetime, të pastrehë, të papunë e nën mëshirën e fatit. Po a e meritojmë ne këtë? A e meriton bashkëshorti dhe babai atje në varr këtë shpërblim mizor për sakrificën e tij sublime.
A e dini të dashur bashkatdhetarët e mi cila është letra që i ka dërguar Komandant Teli, fëmijëve të vet vetëm pak ditë para se të binte dëshmor i Atdheut? I shkruante: “ Ta doni nënën, ta doni njëri-tjetrin, por mbi të gjitha ta doni Atdheun. Edhe sikur të mos kthehem një ditë, Atdheun do ta keni si prind!” Po tani që na nxorrën në rrugë, çfarë do t`i thonë fëmijët e mi babait të tyre tek varri.
Fjala ime e fundit plot dhimbje është kjo:
Na ndihmoni! As familjet e dëshmorëve, as fëmijët e tyre dhe as dëshmorët, ata që pushojnë në panteonin e atdheut, nuk e meritojnë këtë barbarizëm!
Bashkëshortja e Komandant Telit
me dy fëmijët.
( P.S. titulli i redaksisë - radio projekti 21, Danimarkë )
Krijoni Kontakt